
Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, bëri të ditur se numri më i madh i arrestimeve është regjistruar në Tiranë, ku 127 persona janë vënë në pranga dhe 244 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Sipas policisë, ata dyshohen për ushtrim dhune ndaj punonjësve të rendit, dëmtim të institucioneve shtetërore dhe shkatërrim të pronës publike e private, përfshirë bankomate, kamera sigurie, automjete dhe rrethime metalike.
Në Durrës janë arrestuar 23 persona dhe janë proceduar 12 të tjerë, ndërsa në Korçë janë arrestuar dy persona dhe janë proceduar penalisht 23 të tjerë.
Procedime janë regjistruar edhe në Vlorë, ku 20 persona janë marrë nën hetim, në Shkodër me nëntë, në Elbasan me gjashtë dhe në Kukës me dhjetë persona.
Bilanci i policisë përfshin edhe 120 efektivë të dëmtuar gjatë protestave në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës.
Një prej rasteve më të rënda është regjistruar në Shkodër, ku një oficer i Policisë së Rendit është plagosur rëndë dhe po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas Ziut, autori i dyshuar është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës.
Hetim për thirrje terroriste në rrjetet sociale
Përveç incidenteve në rrugë, Policia e Shtetit njoftoi se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë nisur hetime për disa kanale dhe grupe komunikimi në internet.
Sipas autoriteteve, gjatë monitorimit janë identifikuar mesazhe që përmbajnë thirrje për kryerjen e akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të policisë.
“Lidhur me këtë situatë është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat e lidhura me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme”, deklaroi Ziu.
Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit po bashkëpunon me agjenci partnere ndërkombëtare për identifikimin e adresave IP, administratorëve të grupeve dhe personave që dyshohet se kanë shpërndarë thirrjet për dhunë.
Sipas tij, hetimet përfshijnë edhe llogari anonime që dyshohet se përdoren nga persona me prirje ekstremiste, brenda dhe jashtë vendit.
Policia nuk ka bërë publike identitetet e administratorëve apo përdoruesve të këtyre kanaleve, ndërsa hetimet vijojnë.
Apel protestuesve: Distancohuni nga personat e dhunshëm
Drejtuesi i lartë i policisë u bëri thirrje qytetarëve që marrin pjesë në protesta të distancohen nga personat e maskuar që kryejnë akte dhune dhe shkatërrimi.
Ai theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore.
“Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit”, paralajmëroi Ziu.
Nga ana tjetër, ai deklaroi se drejtuesit e policisë kanë udhëzuar efektivët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet gjatë ndërhyrjeve, edhe në situatat kur përballen me sulme.
Deklarata vjen në ditën e katërt të protestave, të cilat janë shoqëruar me përplasje të forta, dëmtime të institucioneve dhe pronave private, si dhe përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga forcat e rendit.




