Dënimi i katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndryshimet ligjore që synojnë kufizimin e kompetencave të Gjykatës Speciale kanë shkaktuar një tjetër përplasje mes politikës në Prishtinë dhe aleatëve perëndimorë. Këtë herë, në qendër të mosmarrëveshjeve është edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila kundërshton hapur qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe diplomatëve ndërkombëtarë.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke i dënuar me burgim nga 13 deri në 25 vjet. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi aktgjykimin si një padrejtësi të papranueshme, ndërsa drejtuesit e PDK-së kundërshtuan deklaratat e diplomatëve perëndimorë.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves, i cili kishte theksuar se dënimet lidhen me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Çitaku argumentoi se konstatimi i gjykatës për një ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk mund të kufizohej vetëm te katër ish-drejtuesit.

Trupi gjykues kishte theksuar, megjithatë, se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo qëllimin e saj për pavarësinë e Kosovës.

Përplasjet u thelluan pas 6 tetorit, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me nismën e PDK-së. Ndryshimet parashikojnë kufizimin e juridiksionit të gjykatës, vendosjen e një dënimi maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe mundësinë që të dënuarit t’i vuajnë dënimet në Kosovë.

Bashkimi Evropian deklaroi se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së gjykatës.

Por deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kundërshtoi këtë vlerësim, duke deklaruar se ligji nuk shkel asnjë detyrim ndërkombëtar.

Më 15 tetor, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ia përcolli presidentes Justina Shiroka Pula ndryshimet ligjore për dekretim. Presidentja ka tetë ditë kohë për të vepruar.

Ekspertët paralajmërojnë se mosmarrëveshjet mund të kenë pasoja për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

Analisti Lulzim Peci vlerëson se përplasja do të mbetet në nivel deklaratash për sa kohë Qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë për zbatimin e ndryshimeve ligjore. Sipas tij, një përplasje institucionale me BE-në mund të lindë nëse kufizohen kompetencat e gjykatës ose kërkohet që të dënuarit t’i vuajnë dënimet në Kosovë.

Ndërsa profesori amerikan Daniel Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins, e lidh qëndrimin e partive kosovare me përpjekjet për të afirmuar sovranitetin, por thekson se ruajtja e marrëdhënieve me BE-në dhe NATO-n është thelbësore për sigurinë dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ngritur një grup pune për koordinimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Hagë.

Deri tani, Bashkimi Evropian nuk ka paralajmëruar masa konkrete ndaj Kosovës për ndryshimet ligjore. Megjithatë, komisionarja për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se vendet që bëjnë hapa prapa në respektimin e standardeve evropiane rrezikojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu