
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në lagjen Kiras të Shkodrës. Objektiv i sulmit ka qenë automjeti i ekspertit të Policisë së Shkodrës, Ardian Baçina.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur në automjetin e punonjësit të policisë. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, ndërsa ende nuk ka të dhëna për persona të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Një nga pistat paraprake të hetimit është ajo e një sulmi të mundshëm të lidhur me detyrën e ekspertit të policisë, por motivi mbetet ende i pakonfirmuar.
Grupi hetimor po mbledh provat dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit.






