Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht protestave studentore që prej tri ditësh kanë përfshirë Tiranën dhe janë përhapur në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Në një reagim me shkrim për agjencinë ndërkombëtare Reuters, kreu i qeverisë ka theksuar se dhuna nuk mund të pengojë rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Qëndrimi i Ramës vjen në një kohë kur studentë dhe gjimnazistë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër qeverisë dhe situatës në arsim.

Protestat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të policisë, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtime të pronës publike e private.

Situata më e rëndë u regjistrua të mërkurën, më 14 tetor, kur gjatë protestës në kryeqytet u sulmuan disa institucione dhe u shënuan zjarre në godina qeveritare.

Ndërkohë, protesta ka vijuar edhe këtë të enjte, duke u shtrirë në Durrës, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe qytete të tjera, ku janë raportuar përplasje me policinë dhe dëmtime të institucioneve.

Pavarësisht tensioneve dhe kërkesave për largimin e tij, Rama ka bërë të qartë se do të vijojë të qëndrojë në krye të qeverisë, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe vazhdimit të procesit të integrimit europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu