
Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të enjteje nga ambientet e dëmtuara të Kolegjit të Europës në Tiranë, duke akuzuar opozitën për aktet e dhunës dhe shkatërrimet gjatë protestave. Kreu i qeverisë theksoi se studentët nuk mund të jenë autorët e këtyre akteve, ndërsa përsëriti gatishmërinë për dialog me ta.**
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së bashkuar, që e çelën në Shqipëri së bashku udhëheqësit europianë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë kurrë duart e studentëve”, deklaroi Rama nga godina e dëmtuar prej zjarrit.
Kryeministri bëri një ndarje të qartë mes kërkesave të studentëve dhe akteve të dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin gjatë dy ditëve të fundit, duke ia atribuuar opozitës përgjegjësinë për shkatërrimet.
Ai theksoi se qeveria mbetet e hapur për të dëgjuar shqetësimet e të rinjve dhe për të diskutuar zgjidhjet e nevojshme.
“Studentët janë e ardhmja, që shohin larg dhe duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, u shpreh Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kanë rifilluar edhe mëngjesin e sotëm në Tiranë.
Nxënës të disa shkollave të mesme kanë bojkotuar mësimin dhe kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit. Pranë gjimnazeve “Ismail Qemali” dhe “Partizani” janë nxjerrë në rrugë kosha mbeturinash, të cilëve u është vënë flaka, ndërsa janë hedhur edhe fishekzjarre.
Bojkot i mësimit është raportuar edhe në Kamzë, ndërsa disa gjimnazistë kanë shkuar pranë shkollës së Hoteleri-Turizmit, duke u bërë thirrje nxënësve të tjerë t’u bashkohen.
Një grup protestuesish është afruar edhe pranë godinës së Kuvendit, ku ishte parashikuar të zhvillohej seanca plenare. Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë, ndërsa janë raportuar edhe persona të shoqëruar.
Protestat vijojnë pas dy ditësh përplasjesh të dhunshme, gjatë të cilave janë sulmuar institucione shtetërore dhe biznese private, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.






