
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar ashpër pas protestës së dhunshme në Tiranë, duke akuzuar politikën e vjetër dhe aktorë të huaj se kanë bashkuar forcat për të destabilizuar vendin, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e studentëve. Ai paralajmëroi personat që kanë sulmuar institucionet dhe pronën private se do të përballen me ligjin.
“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private”, deklaroi Demo.
Ministri pretendoi se në organizimin e akteve të dhunshme janë përfshirë edhe aktorë të huaj, të cilët, sipas tij, kanë vepruar përmes rrjeteve sociale që prej muajit qershor.
“Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, qëllimi i këtij bashkëpunimi ka qenë të sfidojë qetësinë dhe sigurinë publike, përmes një skenari që ai e cilësoi ogurzi për Shqipërinë.
Duke iu drejtuar studentëve, veçanërisht atyre të Mjekësisë, Demo theksoi se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe se të rinjtë nuk konsiderohen kundërshtarë politikë.
“Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju!”, deklaroi ai.
Ministri kujtoi se Pakti për Universitetin lindi nga protestat e mëparshme studentore, duke argumentuar se kërkesat për përmirësimin e arsimit duhet të trajtohen përmes dialogut dhe jo përmes dhunës.
Paralajmërimi më i fortë iu drejtua personave që kanë marrë pjesë në djegien dhe shkatërrimin e institucioneve.
“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë.”
Demo falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, ndërsa u kërkoi qytetarëve të Tiranës durim përballë situatës së krijuar.
Ai hodhi poshtë idenë se sulmet ndaj institucioneve dëshmojnë dobësi të shtetit, duke pretenduar se autorët e skenarit synojnë të provokojnë një reagim që do ta përshkallëzonte më tej krizën.
“Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte”, deklaroi ministri, duke paralajmëruar se përpjekja për ta kthyer vendin pas nuk do të ketë sukses.






