Përplasjet e dhunshme përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë kanë sjellë reagime të forta politike. Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kanë dënuar sulmet ndaj policisë dhe institucioneve, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kanë akuzuar uniformat blu për përdorim të dhunës ndaj protestuesve.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas bilancit të publikuar nga Policia e Shtetit, sipas të cilit gjashtë efektivë mbetën të plagosur gjatë përplasjeve.

“E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, deklaroi Demo.

Ministri u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se dhuna nuk mund të justifikohet. Ai shprehu solidaritet me efektivët e lënduar dhe familjarët e tyre, ndërsa siguroi se policia do të vijojë të garantojë rendin dhe të drejtën për protestë paqësore.

Nga Partia Socialiste reagoi edhe Taulant Balla, i cili bëri dallimin mes studentëve dhe personave të maskuar që sulmuan institucionin.

“Studentët nuk janë terroristë me maska! Nuk ka nxënës që thyejnë dritaret e shkollës”, shkroi Balla.

Në një tjetër reagim, kreu i grupit parlamentar socialist akuzoi Sali Berishën se qëndron pas akteve të dhunës ndaj institucioneve ndër vite.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi ndërhyrjen e policisë, duke e cilësuar atë si terror ndaj studentëve.

“Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit ndaj studentëve guximtarë! Nderim studentëve misionarë!”, deklaroi Berisha.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, kërkoi ndalimin e dhunës policore ndaj të rinjve.

Sipas tij, studentët që protestojnë për një të ardhme më të mirë meritojnë respekt dhe përgjigje ndaj kërkesave të tyre, jo frikësim dhe represion. Bardhi e përmbylli reagimin me thirrjen “Duart larg studentëve!”.

Edhe deputeti demokrat Belind Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrjen e policisë, duke pretenduar se protestuesit janë goditur dhe tërhequr zvarrë gjatë shoqërimeve.

Deputetja Marjana Koçeku iu drejtua drejtpërdrejt ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, duke i kërkuar të mbrojë studentët dhe të ndalojë dhunën ndaj tyre.

“Mos i prekni studentët”, ishte mesazhi i saj, ndërsa kërkoi që institucionet t’u japin përgjigje problemeve që i kanë nxjerrë të rinjtë në protestë.

Reagimet politike pasuan incidentet e regjistruara gjatë tubimit të 13 tetorit, kur persona të maskuar dëmtuan rrethimin dhe portën e Ministrisë së Arsimit, thyen xhamat dhe goditën godinën me gurë e pllaka trotuari.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë përplasjeve u përdorën edhe molotovë dhe kapsolla kundër efektivëve.

Bilanci zyrtar është 23 persona të shoqëruar, gjashtë punonjës policie dhe një gazetare të lënduar. Të gjithë të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunshme vijojnë, ngjarja ka krijuar një tjetër përplasje mes mazhorancës dhe opozitës mbi përgjegjësinë për incidentet dhe mënyrën e ndërhyrjes së policisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu