
Pamje të rënda të publikuara nga Shkupi kanë shkaktuar reagime në Maqedoninë e Veriut, pasi në video shfaqen disa efektivë policie duke goditur dy të rinj shqiptarë ndërsa ata ndodhen të shtrirë në tokë dhe të prangosur.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 7 tetor, ndërsa pamjet u publikuan dy ditë më vonë. Dy të rinjtë, 21 dhe 23 vjeç, raportohet se kanë pësuar dëmtime fizike gjatë ndërhyrjes.
Në pamjet e publikuara dallohen disa policë pranë tyre, ndërsa katër efektivë shfaqen duke i goditur në një moment kur të rinjtë janë në tokë.
View this post on Instagram
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar Kontrollin e Brendshëm, Hetimet Kriminalistike dhe strukturat e Standardeve Profesionale të verifikojnë të gjithë ngjarjen.
Hetimi duhet të përcaktojë dinamikën e ndërhyrjes dhe nëse përdorimi i forcës nga policët ka qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat. Autoritetet kanë paralajmëruar se nëse konstatohen shkelje, ndaj efektivëve do të merren masat përkatëse.
Një tjetër element që po hetohet lidhet me një armë shërbimi të policisë. Sipas pretendimeve të bëra publike nga BDI, në raportin policor thuhet se dy të rinjtë i kishin marrë armën një efektivi.
Dy të rinjtë japin një version tjetër, duke pretenduar se pistoleta përfundoi brenda automjetit pasi policët thyen xhamin e makinës. Ata pretendojnë gjithashtu se gjatë ndjekjes është qëlluar me armë dhe se gomat e automjetit të tyre janë shpuar përpara përplasjes së makinës.
Këto pretendime nuk janë konfirmuar ende dhe janë pjesë e hetimit.
Rasti ka shkaktuar edhe reagime politike. BDI dhe përfaqësues të tjerë shqiptarë kanë kërkuar një hetim të plotë dhe transparent, ndërsa zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësi nëse konstatohen shkelje nga policët.






