
Profesori amerikan Daniel Serwer ka komentuar ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të vlerësojë nëse dispozitat e reja janë në përputhje me detyrimet që Kosova ka marrë përsipër.
Serwer tha se çështja kryesore është nëse ndryshimet e bëra i lejojnë Gjykatës Speciale të përmbushë qëllimin për të cilin u krijua, përfshirë trajtimin e pretendimeve që buruan nga raporti i Dick Martyt.
I pyetur nëse ligji i ri mund të ndikojë në rrugën europiane të Kosovës, profesori amerikan nuk dha një përgjigje përfundimtare, duke theksuar se kjo duhet të vlerësohet nga institucionet e Bashkimit Evropian.
BE-ja ka mbajtur ndërkohë një qëndrim kritik. Në reagimin pas miratimit të ndryshimeve, Brukseli deklaroi se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara.
Serwer komentoi edhe marrëveshjen politike që mundësoi zgjedhjen e Presidentes së re të Kosovës pas ngërçit institucional. Ai e cilësoi pozitiv faktin që palët arritën një kompromis dhe që në krye të shtetit u zgjodh një presidente me kualifikime të larta.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan nga Kuvendi më 6 tetor. Debati tashmë pritet të zhvendoset edhe te mundësia e një shqyrtimi të tyre nga Gjykata Kushtetuese dhe te qëndrimi që institucionet evropiane do të mbajnë ndaj zbatimit të ligjit.






