Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe i kërkuar nga INTERPOL-i për ngjarjet e Banjskës, është shfaqur publikisht në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc.

Pamjet e publikuara nga televizioni serb N1 tregojnë Radoiçiqin përpara sallës “Jezero”, në shoqërinë e Danilo Vuçiçit, djalit të Aleksandar Vuçiçit.

Radoiçiq është në kërkim ndërkombëtar në lidhje me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ai mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur të përfshirë në ngjarje, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

INTERPOL-i lëshoi kërkim ndërkombëtar për Radoiçiqin dhe persona të tjerë të dyshuar në dhjetor të vitit 2023.

N1 raportoi se Danilo Vuçiç mbërriti në tubimin e SNS-së i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese. Më pas, kamerat e televizionit filmuan edhe Radoiçiqin pranë tij, jashtë sallës ku zhvillohej aktiviteti elektoral.

Shfaqja publike e Radoiçiqit në një aktivitet politik në Serbi ka tërhequr vëmendje për shkak të kërkimit ndërkombëtar ndaj tij dhe çështjes së hapur për sulmin në Banjskë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu