
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të prerë për deputetët socialistë vetëm pak para votimit në Kuvend të reformës së re territoriale.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zhvilluar para nisjes së seancës plenare, Rama mësohet të ketë kërkuar disiplinë të plotë vote për projektligjin.
“Kush nuk voton reformën territoriale sot, le të ikë”, citohet të ketë deklaruar kryeministri gjatë mbledhjes, sipas informacioneve të raportuara nga gazetari Muhamed Veliu.
Mesazhi vjen pas debateve të ditëve të fundit edhe brenda mazhorancës për hartën e re administrative. Drafti i socialistëve parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 dhe është futur për votim në seancën e 8 tetorit. Top Channel
Në ditët para votimit janë raportuar kundërshti edhe nga deputetë të PS-së. Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kishin shprehur rezerva ndaj draftit, ndërsa votimi kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend. SOT News
Deklarata e Ramës në mbledhjen e grupit e rrit edhe më tej peshën politike të votimit, në një ditë kur reforma territoriale është një nga çështjet kryesore në axhendën e Parlamentit.






