
Maricarmen Abascal, pensionistja 87-vjeçare që u kthye në simbol të krizës së strehimit në Spanjë pasi u dëbua nga banesa ku kishte jetuar për më shumë se 70 vjet, ka ndërruar jetë në Madrid.
Lajmi për vdekjen e saj u bë publik këtë të mërkurë nga Sindikata e Qiramarrësve të Madridit. Abascal qëndronte e shtruar në spital që prej 23 shtatorit, ditës kur u nxor me barelë nga apartamenti i saj në lagjen Retiro.
Pensionistja kishte jetuar në atë banesë që prej vitit 1956. Konflikti me pronarin kishte zgjatur prej vitesh, ndërsa gruaja nuk mund të përballonte rritjen e qirasë. Përpjekjet e mëparshme për ta dëbuar ishin ndalur, por në shtator vendimi u ekzekutua.
Pamjet e 87-vjeçares që largohej me barelë shkaktuan reagime të forta në të gjithë Spanjën. Protesta të mëdha u organizuan kundër dëbimeve dhe rritjes së çmimeve të banesave, ndërsa emri i Maricarmen u kthye në simbol të betejës për të drejtën e strehimit.
Pas protestave dhe ndërmjetësimit të autoriteteve të Madridit, përfaqësuesit e saj arritën një marrëveshje me kompaninë pronare që do t’i lejonte të rikthehej në apartament. Marrëveshja parashikonte një kontratë të re tetëvjeçare dhe një qira që nuk do të kalonte 30% të të ardhurave të saj.
Por Maricarmen nuk arriti të kthehej më në shtëpinë ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës. Gjendja e saj shëndetësore nuk e lejoi të dilte nga spitali dhe ajo ndërroi jetë dy javë pas dëbimit. Shkaku mjekësor i vdekjes nuk është bërë publik.
Rasti i saj u vendos në qendër të debatit kombëtar për krizën e banesave dhe u ndërthur me përplasjen politike mbi masat kundër dëbimeve dhe rritjes së qirave, në një periudhë që përfundoi edhe me thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme në Spanjë.






