Dy ngjarje të rënda rrugore dhe aksidentale kanë shënuar mbrëmjen e së mërkurës në Korçë dhe Kurbin, duke u marrë jetën një 18-vjeçari dhe një vajze vetëm 3 vjeçe.

Rreth orës 19:45, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Bulgarec, një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga shtetasi L. S., ka përplasur këmbësorin F. M., rreth 18 vjeç.

I riu u transportua në spital, por për shkak të plagëve të marra nuk mundi të mbijetonte. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës.

Vetëm pesë minuta më vonë, një tjetër tragjedi është regjistruar në fshatin Malbardh të Kurbinit.

Sipas policisë, një 45-vjeçar me inicialet B. A., teksa po manovronte me një mjet bujqësor në oborrin e banesës së tij, ka goditur aksidentalisht vajzën e tij 3-vjeçare.

E mitura ka marrë plagë të rënda dhe ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu