
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit të Kosovës është përshëndetur nga drejtues të lartë politikë dhe institucionalë në Shqipëri.
Presidenti Bajram Begaj ishte ndër të parët që uroi homologen e tij të re, duke vënë theksin te lidhja mes dy vendeve dhe rruga e përbashkët europiane.
“Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë”, shkroi Begaj.
Kreu i shtetit e mbylli mesazhin me urimin: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë!”.
Edhe kryeministri Edi Rama uroi Presidenten e re, duke e cilësuar zgjedhjen e saj si një zhvillim që vjen në një periudhë sfiduese jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe Europën.
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën. Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, shkroi Rama.
Urimeve iu bashkua edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se kishte uruar personalisht Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës.
“Sapo e urova Presidenten e Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, për detyrën e Kryetares së Shtetit. Kosova ka një sërë sfidash përpara, ku ndër to është mbrojtja e pastërtisë së luftës për liri të UÇK-së, ku Presidentja e re e Kosovës duhet dhe mund të luajë një rol tepër aktiv”, shkroi Balla.
Edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, i është bashkuar urimeve për Justina Shiroka-Pulën pas zgjedhjes së saj në krye të shtetit të Kosovës.
Shiroka-Pula u zgjodh Presidente me 81 vota në Kuvend, pas një dite të gjatë negociatash mes forcave politike në Prishtinë.
Në fjalën e saj të parë, ajo premtoi se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallime politike, etnike apo shoqërore, dhe se do të punojë për forcimin e orientimit euroatlantik të Kosovës.






