
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka refuzuar edhe ofertën e fundit të kryeministrit Albin Kurti për të votuar brenda së njëjtës mbrëmje ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe presidentin e ri të Kosovës.
Hamza tha se PDK është e gatshme të votojë menjëherë ligjin për Specialen, por nuk pranon që kjo çështje të lidhet me mbështetjen për një kandidat të caktuar për president.
“Ne jemi këtu për të votuar ligjin, por s’ka marrëveshje për presidentin. Jemi këtu që nga mëngjesi, prej ditësh kërkojmë të vijë ligji të aprovohet. President pa marrëveshje politike s’mundet të ketë”, deklaroi Hamza.
Reagimi erdhi pasi Kurti ndryshoi ofertën e tij të mëparshme dhe propozoi që Vetëvendosje të votojë fillimisht në lexim të dytë ndryshimet për Gjykatën Speciale dhe menjëherë pas kësaj PDK të marrë pjesë në votimin për president, me Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin si alternativa.
Hamza e cilësoi këtë formulë si një përpjekje për ta lidhur një çështje që PDK e konsideron kombëtare me negociatat politike për presidentin.
“Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit”, tha ai.
Sipas kreut të PDK-së, fillimisht duhet të përfundojë votimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe vetëm më pas partitë të ulen për të arritur një marrëveshje politike për presidentin.
“Nuk pranojmë që UÇK të bëhet objekt i transaksionit, çfarëdo qoftë”, deklaroi Hamza.
Kurti kishte propozuar fillimisht një tjetër formulë: presidenti të zgjidhej këtë të martë dhe Specialja të votohej të enjten. Ai garantonte 62 deputetë për votimin e ligjit.
Por pasi kjo ofertë u refuzua dhe Bekim Sejdiu konfirmoi tërheqjen nga gara për president, Kurti doli me propozimin e ri për votimin e të dyja çështjeve brenda së njëjtës mbrëmje.
Ngërçi vazhdon ndërsa 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Dështimi për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, protesta para Kuvendit vijon për të dytën ditë me kërkesën që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen përfundimisht.






