
Familja e Fatmirës dhe Ervinit tashmë mund të formojë një skuadër të plotë futbolli. Ardhja në jetë e Zejdit e ka çuar në 11 numrin e fëmijëve të çiftit, në një kohë kur familjet e mëdha po bëhen gjithnjë e më të rralla në Shqipëri.
Vogëlushi Zejd erdhi në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë dhe gëzon shëndet të plotë, ashtu si edhe nëna e tij.
Me lindjen e fundit, familja numëron tashmë tetë vajza dhe tre djem. Por për Fatmirën, numri i madh i fëmijëve nuk është barrë. Përkundrazi, ajo thotë se pikërisht shtëpia e mbushur me fëmijë është ajo që e bën të lumtur.
View this post on Instagram
“Jam e lumtur dhe e kënaqur për familjen e madhe. Të gjithë më pyesin si është jeta me shumë fëmijë. Por jam shumë e kënaqur dhe e lumtur se e kam shtëpinë plot”, tregon ajo.
Historia e familjes ka tërhequr vëmendjen pikërisht për numrin e pazakontë të fëmijëve. Me Zejdin, 11 fëmijët bëhen aq sa lojtarët që një skuadër futbolli hedh në fushë.
Ndërsa familjet shqiptare vitet e fundit po përballen me rënie të numrit të lindjeve dhe familje gjithnjë e më të vogla, Fatmira dhe Ervini janë tashmë prindër të një familjeje ku tavolina duhet të ketë vend për të paktën 13 veta.



