
Raiffeisen Bank ka reaguar pas problemeve të raportuara nga klientët me gjendjen e llogarive të tyre, duke konfirmuar se janë konstatuar ndryshime të përkohshme në balanca, por duke mohuar se bëhet fjalë për një sulm kibernetik.
Sipas njoftimit të bankës, problemi lidhej me disa transaksione të kryera me kartë dhe tashmë është zgjidhur.
“Gjatë ditës së sotme disa nga klientët tanë kanë pasur përkohësisht ndryshime në balancat e llogarive të tyre të lidhura me disa transaksione me kartë. Situata është adresuar plotësisht dhe balancat e llogarive pasqyrojnë gjendjen e saktë”, njoftoi Raiffeisen.
Banka mohon gjithashtu se sistemet e saj janë cenuar nga persona të paautorizuar apo se të dhënat e klientëve janë komprometuar.
“Dëshirojmë gjithashtu të sqarojmë se nuk është identifikuar asnjë akses i paautorizuar në sistemet e bankës, nuk ka patur kompromentim të të dhënave të klientëve dhe nuk është evidentuar asnjë incident i sigurisë kibernetike”, thuhet në reagim.
Megjithatë, në deklaratën e cituar nuk jepen hollësi mbi shkakun teknik që solli ndryshimin e përkohshëm të balancave të llogarive dhe problemet me transaksionet me kartë.
Pikërisht kjo mbetet çështja kryesore për t’u sqaruar: çfarë e shkaktoi incidentin dhe si u prekën balancat e klientëve, nëse banka përjashton aksesin e paautorizuar, komprometimin e të dhënave dhe një incident të sigurisë kibernetike.




