Brazili voton të dielën për presidentin e ri, në një garë të fortë mes Luiz Inácio Lula da Silva dhe Flávio Bolsonaro, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro. Por vetëm një ditë para zgjedhjeve, në qendër të vëmendjes është vendosur një tjetër shqetësim: ndikimi i bandave kriminale mbi votuesit në favela.

Një reportazh i gazetës italiane La Repubblica ngre alarmin se grupet kriminale që kontrollojnë pjesë të territorit në qytetet e mëdha braziliane po përpiqen të ndikojnë edhe politikisht mbi komunitetet ku veprojnë.

Problemi është veçanërisht i ndjeshëm në Rio de Janeiro dhe zonat përreth, ku bandat e trafikut të drogës dhe grupet e armatosura kanë prej vitesh kontroll të fortë në disa lagje. Frika është se ky kontroll territorial mund të përdoret edhe për të orientuar ose ushtruar presion mbi votuesit.

Autoritetet elektorale braziliane kanë marrë masa për të penguar ndërhyrjen e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Shqetësimi nuk lidhet vetëm me presionin ndaj votuesve, por edhe me mundësinë që persona të lidhur me grupet kriminale të përpiqen të fitojnë pushtet politik përmes zgjedhjeve.

Kriminaliteti dhe siguria janë kthyer për këtë arsye në një prej temave të rëndësishme të fushatës presidenciale.

Në këtë klimë Brazili shkon drejt kutive të votimit. Lula, në moshën 80-vjeçare, kërkon një tjetër mandat presidencial, ndërsa Flávio Bolsonaro synon të rikthejë familjen Bolsonaro në krye të vendit.

Nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën e nevojshme në votimin e së dielës, presidenti i ardhshëm i Brazilit do të përcaktohet në raundin e dytë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu