Një detaj i pazakontë ka dalë në dritë pas sulmit në kabinën e avionit të Flydubai që udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit: sëpata me të cilën bashkëpiloti sulmoi kapitenin ishte pjesë e pajisjeve të vetë avionit.

Sipas La Repubblica, bëhet fjalë për një mjet sigurie që avionët janë të detyruar ta kenë në bord dhe që mbahet në kabinën e pilotëve për t’u përdorur në situata emergjente.

E njohur si “crash axe”, sëpata është projektuar për raste ekstreme, për shembull kur ekuipazhit i duhet të çajë një panel apo një pjesë të strukturës së avionit për të ndërhyrë gjatë një zjarri ose pas një aksidenti. Në disa avionë, për qëllime të ngjashme mund të ketë edhe mjete të tjera, si levë metalike.

Por në incidentin e Flydubai, pajisja e menduar për të shpëtuar jetë u kthye në armë.

Bashkëpiloti e përdori sëpatën për të sulmuar kapitenin Smit Machchhar, ndërsa avioni me më shumë se 170 persona në bord humbi me shpejtësi rreth 5.200 metra lartësi.

Pavarësisht plagëve, kapiteni arriti të hapte derën e kabinës. Pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit ndërhynë dhe neutralizuan agresorin, ndërsa dy pilotë rezervë që ndodheshin në bord morën drejtimin e avionit dhe e ulën atë në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite.

Rasti ka hapur tashmë edhe një debat mbi sigurinë: si duhet të ruhet brenda kabinës një mjet i domosdoshëm për emergjencat, kur në rrethana të jashtëzakonshme ai mund të shndërrohet në armë?

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu