Shqipëria duhet të kalojë nga gara për numrin e turistëve te turizmi cilësor dhe investimet me vlerë të lartë. Ky ishte mesazhi i kryeministrit Edi Rama në “Future Hospitality Forum 2026”, ku vendi po prezantohet përpara investitorëve dhe markave ndërkombëtare të industrisë së turizmit.

Rama tha se situata e sotme do të kishte qenë e paimagjinueshme vetëm pesë vite më parë. Sipas tij, Shqipëria dikur nuk kishte asnjë hotel me pesë yje dhe kompanitë e mëdha ndërkombëtare nuk e konsideronin vendin si destinacion për investime.

“Vendi ynë ishte vërtet një vrimë e zezë në hartën e industrisë së turizmit në Europë”, tha Rama, duke kujtuar se statistikat e dikurshme nuk arrinin as në dy milionë turistë dhe përfshinin në llogaritje edhe udhëtarë shqiptarë që ktheheshin në vend.

Sot, sipas kryeministrit, Shqipëria ka kaluar mbi 12 milionë turistë, por pikërisht rritja e shpejtë ka sjellë një problem të ri: presionin mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe komunitetet lokale.

Rama tha se objektivi nuk mund të jetë më vetëm shtimi i vizitorëve, veçanërisht i turizmit me të ardhura të mesme dhe të ulëta, por krijimi i kushteve për marka ndërkombëtare dhe turistë me fuqi më të lartë shpenzuese.

“Duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe më shumë kushte që ekselenca të vijë e të bëhet një forcë më vete në vend”, deklaroi ai.

Kryeministri e lidhi këtë strategji edhe me projektet e mëdha që po zhvillohen me studio ndërkombëtare të arkitekturës dhe planifikimit urban, duke u bërë thirrje markave që ende nuk kanë hyrë në Shqipëri të shohin mundësitë për investime.

Sipas Ramës, miliona vizitorët e viteve të fundit kanë shërbyer edhe për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë jashtë vendit, duke u kthyer në “ambasadorët” më të mirë të saj.

Por pjesa më e fortë e fjalimit lidhej me investimet e mëdha që pritet të hyjnë në sektor.

“Duhet të ëndërrojmë në përmasa më të mëdha”, tha Rama, duke folur për një moment kur “miliarda e miliarda janë gati të investohen në Shqipëri” dhe duke e cilësuar debatin e krijuar rreth investimeve të mëdha si një prej sfidave të zhvillimit.

Në fund, Rama u bëri një thirrje të drejtpërdrejtë investitorëve të pranishëm që të mos humbin momentin.

Ai tregoi edhe një bisedë me një investitor amerikan, i cili vite më parë i kishte thënë se “Shqipëria nuk është gati për mua”. Kur investitori e kishte telefonuar më vonë duke i thënë se dëshironte të vinte, Rama tha se i ishte përgjigjur: “Shqipëria nuk ka kohë për ju”.

“Shfrytëzojeni kohën tani, përfitoni sa më shumë prej saj, sepse po të mendoheni tepër gjatë, mund të gjendeni në një situatë ku Shqipëria është bërë tepër e zënë dhe nuk do të ketë kohë për ju”, deklaroi Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu