
Kosova kërkon të reagojë menjëherë pas humbjes 3-0 ndaj Austrisë. “Dardanët” përballen sonte në orën 20:45 me Izraelin, në ndeshjen e tretë të grupit B të Ligës së Kombeve.
Sfida do të luhet në Hungari, ndërsa tri pikët janë të rëndësishme për Kosovën në garën për objektivin e saj, sigurimin e një vendi në “play-off”.
Trajneri Franco Foda kërkon agresivitet nga skuadra, por paralajmëron se renditja e Izraelit nuk duhet të krijojë përshtypjen e një kundërshtari të lehtë.
“Izraeli është kundërshtar i vështirë. Pavarësisht rezultateve, ka treguar se është përfaqësuese që di të luajë mjaft mirë. Ka futbollistë teknikë, të shpejtë dhe lojtarë të fortë individualisht. Presim ndeshje të fortë, por ne do të mundohemi të jemi sa më agresivë”, tha Foda.
Edhe Ilir Krasniqi vlerësoi cilësitë teknike të kundërshtarit, duke theksuar se stafi dhe futbollistët kanë analizuar pikat e forta të Izraelit.
Pas dy ndeshjeve të para, Kosova është e dyta në grup me 3 pikë, tri më pak se Austria kryesuese dhe me pikë të barabarta me Irlandën. Izraeli mban vendin e fundit, pasi është mundur në dy takimet e para nga Irlanda dhe Austria.
Për Kosovën, sfida e mbrëmjes është mundësia për të lënë pas disfatën ndaj Austrisë dhe për t’u rikthyer menjëherë te fitorja.






