Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen i cilësoi hetimet që po zhvillohen në Shqipëri si dëshmi të funksionimit dhe fuqizimit të sistemit të drejtësisë.

Deklarata u bë në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë mes pyetjeve për hetimet e fundit dhe çështjen e SHISH.

“Kur shohim çështje të cilat po hetohen ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit” tha von der Leyen.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij kundërshtoi idenë se hetimet ndaj personave të emëruar në poste shtetërore duhet të përkthehen automatikisht në përgjegjësi politike për atë që i ka emëruar.

Sipas Ramës përgjegjësia e tij politike është vijimi i reformës në drejtësi dhe garantimi që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të mos ndalet.

“Përgjegjësia ime politike është një dhe vetëm një: reforma në drejtësi të mos ndalet” deklaroi Rama duke argumentuar se përgjegjësia për shkeljet eventuale është individuale dhe duhet të përcaktohet nga drejtësia.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria nuk mund të funksionojë sipas logjikës që personi që bën një emërim duhet të mbajë përgjegjësi për çdo veprim të mëvonshëm të të emëruarit.

“Detyra jonë është të japim llogari për gjithçka çfarë po bëjmë dhe kushdo që tradhton duhet të përballet me anën tjetër të pushtetit që është drejtësia” tha Rama.

Von der Leyen ndodhet në Shqipëri në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor me fokus procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu