
Është konfirmuar rasti i dytë me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri për këtë vit. Edhe personi i dytë i infektuar është regjistruar në Korçë.
Rasti vjen pas infektimit të një 72-vjeçari në muajin gusht. Në atë rast dyshohej se i moshuari ishte pickuar nga një mushkonjë ndërsa qëndronte në një lulishte të qytetit.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Simptomat mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella.
Në raste të rralla infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë forma të rënda të sëmundjes.






