Qeveria ka prezantuar një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale që prek masat e sigurisë, paraburgimin, kontrollin e telefonave, përgjimet, marrjen në pyetje, të drejtat e avokatëve dhe mbrojtjen e privatësisë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu deklaruan se paketa synon të krijojë më shumë ekuilibër mes akuzës dhe mbrojtjes dhe të forcojë prezumimin e pafajësisë. Drafti përmban 105 nene dhe ndryshon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale. Sipas Ramës në hartimin e tij janë angazhuar 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda së bashku me ekspertë të Këshillit të Europës.

Një nga ndërhyrjet kryesore lidhet me paraburgimin. Sipas propozimit gjykata duhet të nisë nga parimi i lirisë dhe të shqyrtojë fillimisht masat më të buta. Për veprat që parashikojnë dënim maksimal deri në tre vjet si rregull nuk do të caktohen masa shtrënguese. Për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet arrest në burg.

Rama e argumentoi ndërhyrjen edhe me nivelin e lartë të paraburgimit në Shqipëri. Duke iu referuar të dhënave të Këshillit të Europës për 31 janarin 2025 ai tha se rreth 62 për qind e personave në burgjet shqiptare ishin të paraburgosur, ndërsa mesatarja europiane ishte 26 për qind.

Kohëzgjatja mesatare e paraburgimit sipas shifrave të prezantuara arrin në 253 ditë në juridiksionin e përgjithshëm dhe 616 ditë në Gjykatën e Posaçme, kundrejt rreth 155 ditëve në vendet e Bashkimit Europian.

Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për telefonat dhe pajisjet elektronike. Sekuestrimi i telefonit nuk do të nënkuptojë automatikisht të drejtën për të kontrolluar përmbajtjen e tij. Hapja, kopjimi dhe përpunimi i të dhënave do të kërkojnë autorizim paraprak të gjykatës.

Vendimi duhet të përcaktojë pajisjen, llojin e të dhënave, aplikacionet dhe periudhën që mund të kontrollohet. Të dhënat e marra jashtë autorizimit nuk do të përdoren, ndërsa materialet që nuk kanë lidhje me hetimin duhet të asgjësohen.

Paketa zgjeron edhe kompetencat e mbrojtjes. Avokatët do të kenë të drejtë të kryejnë hetime, të marrin deklarime, të kërkojnë dokumente, të bëjnë verifikime teknike dhe të angazhojnë ekspertë.

Materialet e mbrojtjes do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen me të njëjtat kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë. Prokurori do të ketë detyrimin të hetojë dhe të vendosë në dispozicion edhe provat dhe rrethanat që shfajësojnë ose favorizojnë të pandehurin.

Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe figurë. Edhe personi që thirret në polici ose prokurori si person në dijeni do të njoftohet që në fletëthirrje për të drejtën për t’u paraqitur me avokat.

Ndryshime parashikohen edhe për publikimin e materialeve hetimore. Nga përgjimet do të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit. Jeta private pa lidhje me veprën penale nuk duhet të përdoret për presion apo konsum mediatik.

Propozohet gjithashtu ndalimi i publikimit të përgjimeve jashtë pjesëve të cituara në arsyetimin e vendimeve. Rama theksoi se përgjegjësia për nxjerrjen e sekretit hetimor bie mbi personin që ka detyrimin ligjor ta ruajë dhe jo mbi median.

Paketa parashikon garanci të shtuara për nënat me fëmijë deri në gjashtë vjeç, baballarët ose kujdestarët kur nëna mungon apo nuk mund të kujdeset, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe personat në programe terapeutike.

Për dhunën në familje dhe krimet seksuale parashikohen masa si largimi nga banesa, ndalimi i afrimit apo kontaktit me viktimën në një distancë jo më pak se 1 mijë metra dhe mundësia e mbikëqyrjes elektronike.

Rama theksoi se ndryshimet nuk prekin shtyllat e Reformës në Drejtësi dhe nuk i heqin prokurorisë kompetencat për hetim, përgjim, kontroll, sekuestrim, hetim pasuror apo bashkëpunim ndërkombëtar. Sipas tij ndryshon mënyra e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcohet kontrolli gjyqësor.

Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme ruhen regjime të posaçme.

Masat e sigurimit që janë aktualisht në fuqi parashikohet të rishikohen brenda 60 ditëve nga e njëjta gjykatë, rast pas rasti dhe me të drejtë ankimi. Rama theksoi se ky rishikim nuk përbën amnisti.

Drafti do t’i nënshtrohet konsultimit publik deri më 28 tetor.

Rama e përmblodhi qëllimin e paketës me fjalët: “Reforma në Drejtësi i dha Shqipërisë një drejtësi që nuk ka frikë nga fajtori. Kjo paketë synon që drejtësia të mos frikësojë të pafajshmin.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu