
Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të shqyrtojë para 6 tetorit ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara duke paralajmëruar se parlamenti mund të shpërndahet pa e trajtuar nismën.
Deputeti i PDK-së Përparim Gruda deklaroi se kanë mbetur vetëm pak ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit dhe kërkoi që projektligji të mos mbetet peng i procedurave administrative.
“Nuk mund të mos paralajmërojmë që është e papranueshme që të lejojmë që ky Kuvend të shpërbëhet, se duket që ky është qëllimi, pa e trajtuar këtë ligj”, tha Gruda.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Sipas tekstit të publikuar nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja.
PDK e dorëzoi projektligjin më 21 shtator pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Një prej ndryshimeve kryesore të propozuara është kufizimi në 15 vjet i dënimit maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara. Nisma parashikon gjithashtu që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
PDK kërkon edhe që ndryshimet në ligj të mos jenë nën kontrollin e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë por të kontrollohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Arian Tahiri deklaroi se projektligji nuk duhet të lidhet me negociatat për zgjedhjen e presidentit.
“Ligji është mbi secilin kalkulim politik. Presidenti është konsensus politik, vullnet politik i subjekteve politike. Po, ligji e tejkalon këtë, ligji është obligim kombëtar i yni, obligim për gjakun e dëshmorëve, obligim për gjeneratat që kanë ardhur”, tha Tahiri.
Nisma është mbështetur nga Aleanca ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se po e shqyrton nga aspekti juridik. LDK ka bërë të ditur se do të mbajë qëndrim pasi të marrë zyrtarisht tekstin.
Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka thënë se projektligjin ia ka dërguar një ekipi ekspertësh. Ajo ka kritikuar megjithatë mungesën e konsultimeve gjatë hartimit të tij duke argumentuar se duhej të përfshiheshin edhe ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe ekspertët e fushës.
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza deklaroi ndërkohë se për projektligjin kishte diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Sipas Hamzës në takim është folur edhe për zgjedhjen e presidentit por jo për emra konkretë.
“Nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera”, tha Hamza.






