Një stuhi e fuqishme ka goditur verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke lënë mbi 100 mijë banesa dhe biznese pa energji elektrike, ndërsa qindra fluturime janë anuluar.

Erërat e forta kanë përfshirë zonën nga Delaware deri në Massachusetts, ndërsa situata pritet të përkeqësohet në Nju Jork dhe përgjatë brigjeve të New Jersey-t dhe New England.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka shpallur gjendjen e emergjencës për qytetin e Nju Jorkut dhe zonat përreth. Një masë të ngjashme ka marrë edhe guvernatorja e New Jersey-t, Mikie Sherrill.

Sipas të dhënave të raportuara të shtunën, të paktën 101,674 banesa dhe biznese nga Massachusetts deri në Maryland kishin mbetur pa energji. Vetëm në Nju Jork, rreth 22 mijë klientë raportohej se ishin prekur nga ndërprerjet.

Parashikimet për Nju Jorkun flasin për reshje që mund të arrijnë rreth 15 centimetra, ndërsa niveli i detit mund të ngrihet deri në rreth 90 centimetra mbi normalen përgjatë brigjeve të New York dhe New Jersey. Në Brooklyn dhe Queens, dallgët mund të arrijnë deri në 3.6 metra.

Probleme të mëdha janë regjistruar edhe në transportin ajror. Në të gjithë SHBA-në janë anuluar të paktën 425 fluturime, pjesa më e madhe në aeroportin Logan të Bostonit dhe aeroporte të tjera të Massachusetts. Të paktën 15 fluturime janë anuluar edhe në LaGuardia të Nju Jorkut.

Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për vonesa dhe kufizime të mundshme në aeroportet John F. Kennedy, Newark, Philadelphia dhe Washington.

Stuhia ka prekur edhe transportin hekurudhor dhe detar. Long Island Rail Road pezulloi shërbimin në linjën Long Beach për shkak të përmbytjeve, ndërsa në Boston u pezulluan shumica e trageteve të transportit publik.

Për shkak të motit ekstrem janë anuluar gjithashtu disa aktivitete të mëdha, përfshirë Global Citizen Festival në Central Park dhe dy koncertet e Ed Sheeran në Gillette Stadium pranë Bostonit.

Meteorologët paralajmërojnë se erërat mund të arrijnë shpejtësinë 97 kilometra në orë. Stuhia pritet të mbetet e fuqishme në Nju Jork dhe New England gjatë së dielës, përpara se të dobësohet të hënën në mëngjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu