
Një tjetër operacion i SPAK kundër trafikut ndërkombëtar të drogës ka çuar në arrestimin e Bledar Cafit dhe shpalljen në kërkim të Indrit Dokles, ish-anëtar i Bandës së Durrësit.
Operacioni i koduar “Muri i Lartë” u zhvillua nga Policia e Shtetit dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, pas hetimeve që përfshijnë edhe zbërthimin e komunikimeve në platformën SKY. Hetimi është vijim i një dosjeje ku më herët janë lëshuar 15 masa sigurie, mes tyre edhe ndaj disa anëtarëve të fisit Rraja.
Bledar Cafi, 50 vjeç, u arrestua në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në Shkodër. GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën “arrest me burg” për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas të dhënave të publikuara, Cafi ka precedentë të mëparshëm dhe në vitin 2020 është dënuar nga Gjykata e Triestes me 4 vite e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
View this post on Instagram
Në të njëjtën kohë, policia dhe BKH ushtruan kontrolle në ambiente që i përkasin Indrit Dokles, 43 vjeç. Ai nuk u gjet dhe vijon të jetë në kërkim. Edhe ndaj tij GJKKO ka caktuar “arrest me burg” për trafik narkotikësh dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal.
Sipas materialit të publikuar, kjo është hera e parë që emri i Dokles shfaqet në një dosje të SPAK si person i akuzuar për përfshirje në një grup që trafikonte drogë. Më parë ai ishte shfaqur në hetimet e SPAK kryesisht si objektiv i planeve për vrasjen e tij.
Hetimet dhe kërkimet për kapjen e Dokles vijojnë.
Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.






