Pas afro tre vitesh pa ambasador në detyrë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë do të ketë nga sot drejtuesin e ri. Eric Wendt nis zyrtarisht mandatin e tij diplomatik në Shqipëri.

Ambasadori i ri amerikan do të pritet këtë të shtunë, në orën 11:00, nga Presidenti Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave, ku do t’i dorëzojë letrat kredenciale. Pas ceremonisë është parashikuar edhe një takim mes tyre.

Wendt pason Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin në qershor 2023. Gjatë kësaj periudhe, misioni diplomatik amerikan është drejtuar nga e ngarkuara me punë Nancy VanHorn.

I propozuar nga Presidenti Donald Trump dhe i konfirmuar nga Senati amerikan më 6 gusht, Wendt vjen në Shqipëri me një karrierë të gjatë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vjet në ushtrinë amerikane, kryesisht në Forcat Speciale, si dhe ka drejtuar Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.

Gjatë dëgjesës së tij në Senat më 20 maj, Wendt renditi mes prioriteteve të mandatit luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, goditjen e trafikut të drogës, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurinë kibernetike.

Ai ka shprehur gjithashtu mbështetje për SPAK dhe bashkëpunimin e institucionit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë nga ndikimet politike.

Më 2 tetor, ambasadori i ri pritet të zhvillojë edhe pritjen zyrtare me përfaqësues të politikës shqiptare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu