
Kryeministri Edi Rama ka marrë si shembull protestat për Zvërnecin gjatë fjalimit në OKB, për të argumentuar rrezikun që, sipas tij, sjell manipulimi i informacionit dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të ndikuar opinionin publik.
Rama iu referua një imazhi të përhapur në rrjetet sociale, ku shfaqej një gardh me tela me gjemba dhe një tabelë që paraqiste zonën e Zvërnecit si një kufi mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Sipas kryeministrit, mbi këtë imazh u ndërtua një narrativë e rreme për një “pushtim izraelit” të bregdetit shqiptar, e cila më pas u shpërnda në rrjete sociale dhe prodhoi pasoja reale.
“Jam i bindur se ju e keni ndjekur revolucionin e flamingove, një narrativë e fabrikuar për pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që s’ka ndodhur kurrë”, tha Rama.
Ai argumentoi se të njëjtit qytetarë morën versione të ndryshme të së njëjtës narrativë, të përshtatura sipas ndjeshmërive të tyre: nga pretendimet për “tradhti kombëtare”, te provokimi fetar apo një pushtim i jashtëm.
“Pasojat ishin reale. Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se rasti nuk ishte një eksperiment teorik, por një ngjarje reale në Tiranë. Sipas tij, teknologjia dhe algoritmet mund të përdoren për të shumëfishuar dhe përshtatur një informacion të fabrikuar, ndërsa objektivi fillestar përcaktohet nga njerëzit.
“Algoritmi nuk shpiku objektivin, këtë e bëri një aktor njerëzor. Ky është mashtrim sistematik”, u shpreh Rama.
Ai e lidhi këtë fenomen edhe me proceset zgjedhore, duke paralajmëruar se ndikimi mbi votuesit nuk kërkon më domosdoshmërisht propagandë masive, pasi përmes teknologjisë mesazhet mund të përshtaten për individë të veçantë.






