
Një numër biznesesh në Kosovë kanë raportuar gjatë ditëve të fundit probleme me sigurinë e llogarive të tyre në WhatsApp. Persona të paautorizuar dyshohet se kanë marrë kontrollin e disa llogarive, duke i përdorur më pas për dërgimin e mesazheve reklamuese dhe spam.
Shqetësimi është ngritur nga Darsej Rizaj, bashkëthemelues i “Shkollës Digjitale” dhe “StarLabs”, i cili tha se pas rastit të biznesit të tij edhe kompani të tjera kanë raportuar probleme të ngjashme.
Rizaj renditi disa mënyra të mundshme për marrjen e kodit të verifikimit të WhatsApp, mes tyre devijimin e thirrjeve, kopjimin e kartës SIM, përgjimin e SMS-ve përmes dobësive të rrjetit, përdorimin e kodeve të rreme QR apo komprometimin e llogarive Meta Business.
Megjithatë, sipas tij, auditimi i sigurisë në kompaninë e tij nuk ka identifikuar asnjërën prej këtyre metodave si shkakun e komprometimit.
“SMS ka ardhur gjatë natës, kompjuterët nuk kanë qenë të ndezur dhe askush nuk ka qenë i pranishëm në zyrë për ta treguar kodin në çfarëdo mënyre”, deklaroi Rizaj.
Ai ngriti dyshimin se problemi mund të lidhet me sigurinë e rrjetit të telekomunikacionit, por theksoi se kjo mbetet vetëm një mundësi që duhet të hetohet. Sipas tij, nëse do të rezultonte se kodet SMS mund të përgjohen, rreziku do të shkonte përtej WhatsApp-it dhe mund të prekte shërbime të tjera që përdorin SMS për verifikim.
Telekomi i Kosovës ka konfirmuar se ka marrë ankesa nga klientët, por ka hedhur poshtë pretendimin se problemi lidhet me rrjetin e operatorit Vala. Sipas kompanisë, rrjeti ka funksionuar normalisht dhe problematika lidhet me shërbimin WhatsApp.






