
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Fatjon Kalluçin, drejtues në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në një lokal pranë vilave qeveritare në Durrës. SPAK i akuzon të dy se kanë ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës kur ai ishte në kërkim.
Sipas të dhënave të publikuara nga Shqiptarja.com, Kalluçi dyshohet se i ka dërguar Agasit në muajin gusht tri fotografi të ekspertizës së një automjeti “Land Rover Defender”, në pronësi të biznesmenit, i cili ishte sekuestruar gjatë kontrolleve në Equos Resort.
Ndaj Kalluçit rëndon akuza për zbulimin e të dhënave sekrete te grupet kriminale. Prokuroria dyshon se informacionet e ekspertizës i janë përcjellë Agasit përpara arrestimit të tij.
Në burg është lënë edhe Embro Sulejmani, i akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas hetimeve, Sulejmani dyshohet se i dërgonte ushqime Agasit në banesën ku ky i fundit qëndronte i fshehur. Të dhënat për këto kontakte mësohet se janë gjetur në telefonin e sekuestruar të biznesmenit.
Ndërkohë, në orën 12:00 pritet të dalë para GJKKO edhe ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, e cila aktualisht ndodhet në “arrest në shtëpi”. Hyseni është gjithashtu e pezulluar nga detyra dhe më pas është shkarkuar nga drejtimi i shërbimit sekret.
SPAK e heton Hysenin për “zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahjen e autorit të krimit”. Sipas raportimit, në automjetin e Ergys Agasit janë gjetur nëntë faqe me dokumente sekrete të SHISH, të cilat Prokuroria dyshon se i janë vënë në dispozicion nga Hyseni.
Ish-drejtoresha e SHISH është pyetur më 18 shtator për marrëdhëniet e saj me Agasin. Hyseni ka deklaruar se kontaktet me biznesmenin kanë qenë në kuadër të bashkëpunimit të tij si informator i shërbimit.
Në materialet hetimore raportohet se janë evidentuar mbi 500 komunikime mes Hysenit dhe Agasit. Sipas SPAK, këto komunikime përmbajnë shkëmbime informacioni, si edhe foto e video. Hetimet për të përcaktuar natyrën dhe qëllimin e këtyre kontakteve vijojnë.
Të gjithë personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






