Debati për rastin e Vlora Hysenit ka sjellë një përplasje të fortë mes Blendi Klosit dhe Sali Berishës në Kuvend. Deputeti socialist iu përgjigj akuzave të kreut të PD-së duke rikthyer debatin te ish-kreu i SHIK, Bashkim Gazidede, dhe ngjarjet e vitit 1997.

Klosi akuzoi Berishën se prej vitesh sulmon institucionet dhe drejtuesit e shërbimeve të sigurisë, ndërsa deklaroi se mazhoranca nuk do të marrë në mbrojtje asnjë funksionar që përballet me drejtësinë.

“22 vjet ke drejtuar këtë forcë politike në opozitë. Janë shumë për jetën e një politikani, por 22 vjet nuk ke hequr dorë nga akuzat mbi institucionet, nga akuzat për krerët e shërbimeve”, tha Klosi.

Duke iu referuar vitit 1997, deputeti i PS-së ngriti akuza të rënda ndaj Berishës për rolin që i dha në atë periudhë Bashkim Gazidedes.

“Kur shefi i shërbimit tënd, Gazidede, megjithëse ishte akuzuar për vrasjen e njerëzve, u bë komandant i Forcave të Armatosura në ’97 për të vrarë akoma më shumë njerëz, për të hapur depot e armëve, për të shkatërruar Shqipërinë”, deklaroi Klosi.

Ai e lidhi këtë përplasje me debatin aktual për ish-drejtuesen e SHISH, duke theksuar se qëndrimi i mazhorancës është që drejtësia të veprojë pa mbrojtje politike për zyrtarët nën hetim.

“Në asnjë rast nuk do të marrim asnjë funksionar në mbrojtje. Drejtësia do të veprojë dhe ne jemi këtu për ta mbështetur”, përfundoi Klosi.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu