
Ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, është marrë në pyetje nga SPAK pesë ditë më parë lidhur me komunikimet që dyshohet se ka pasur me biznesmenin Ergys Agasi.
Sipas të dhënave të publikuara, Hyseni është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe ka pranuar se ka komunikuar me Agasin. Ajo ka pretenduar se kontaktet kanë qenë në kuadër të bashkëpunimit me Shërbimin Informativ të Shtetit, duke argumentuar se SHISH punon edhe me bashkëpunëtorë.
Nga telefoni i sekuestruar i Agasit dyshohet se janë evidentuar qindra thirrje mes tij dhe Hysenit, si dhe foto e video. Hyseni ka deklaruar se kontaktet kanë qenë vetëm telefonike dhe se nuk ka zhvilluar takime fizike me të. Hetuesit, sipas raportimeve, dyshojnë se marrëdhënia mes tyre mund të ketë qenë më e gjerë nga sa është deklaruar.
Kërkesa për masën e sigurisë ndaj Hysenit mësohet se ishte depozituar në Gjykatën e Posaçme rreth 10 ditë përpara marrjes së vendimit. GJKKO vendosi ndaj saj “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra.
Masa u ekzekutua pasi Hyseni u kthye nga Kosova. Ajo pritet të paraqitet në GJKKO për t’u njohur me masën dhe për të dhënë sqarimet e saj lidhur me dyshimet e ngritura nga SPAK.
Hetimet vijojnë dhe dyshimet e ngritura ndaj Hysenit nuk përbëjnë një vendim përfundimtar për fajësinë.






