
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur para shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, çështjen e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke deklaruar se aktgjykimi i shkallës së parë duhet të korrigjohet në Apel.
Takimi u zhvillua në selinë e OKB-së në Nju Jork, ku Kurti tha se i ka shprehur Kallas shqetësimin për dënimet, të cilat ai i cilësoi “të rënda dhe të padrejta”. Kryeministri i Kosovës kritikoi gjithashtu atë që e konsideron mungesë transparence gjatë procesit gjyqësor.
Kurti theksoi se procesi nuk ka përfunduar dhe se Kosova do të angazhohet që aktgjykimi të kundërshtohet në shkallën e apelit. Ai përsëriti qëndrimin e tij se UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit dhe krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në takim u diskutua edhe sulmi i Banjskës. Kurti kërkoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për të ushtruar trysni ndaj Serbisë, në mënyrë që Milan Radoiçiq dhe personat e tjerë të akuzuar nga autoritetet e Kosovës për përfshirje në sulm të përballen me drejtësinë kosovare.
Kryeministri ngriti gjithashtu çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke pretenduar se ata përballen me diskriminim, nënpërfaqësim në institucione dhe probleme me pasivizimin e adresave.
Pjesë e bisedës ishte edhe rruga evropiane e Kosovës. Kurti kërkoi që Prishtina të avancojë në procesin e integrimit dhe të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Më 16 shtator, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke i dënuar në total me 81 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.






