Skender Hita në Konferencën e 42-të të FBINAA në Tiranë

Tirana është bërë këtë të dielë pikëtakimi i mbi 230 përfaqësuesve të FBI-së dhe agjencive ligjzbatuese nga Europa, SHBA-ja dhe vende të tjera, në kuadër të Konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Europianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së.

Në ceremoninë e hapjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, tha se organizimi i konferencës në Shqipëri dëshmon nivelin e bashkëpunimit të krijuar me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Krimi i organizuar ka kapërcyer kufijtë, ndaj edhe partneriteti ynë duhet t’i kapërcejë ata”, deklaroi Hita, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit, ekspertizës dhe koordinimit mes agjencive ligjzbatuese.

Sipas tij, Policia e Shtetit ka investuar në modernizimin e strukturave, digjitalizimin e shërbimeve, analizën e të dhënave, hetimin kibernetik, strukturat operacionale dhe antiterrorin.

Hita përmendi gjithashtu operacionet e përbashkëta me FBI-në, DEA-n, Europol-in dhe Interpol-in, ndërsa tha se rrjetet kriminale po përdorin teknologjinë dhe po lëvizin para, njerëz dhe aktivitetin e tyre përtej kufijve shtetërorë.

Konferenca zhvillohet me temën e ndërtimit të partneriteteve ndërkombëtare kundër krimit të organizuar dhe synon forcimin e bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu