
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së mirëseardhjes në Takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, theksoi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka hyrë në një fazë të re, pas hapjes së të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.
Balla, në cilësinë edhe të bashkëkryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri deklaroi se objektivi i Shqipërisë është përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda Krishtlindjeve të vitit 2027, me synimin për t’u bërë pjesë e familjes europiane brenda vitit 2030.
Ai nënvizoi se faza aktuale kërkon jo vetëm miratimin e legjislacionit të përafruar me standardet europiane, por mbi të gjitha zbatimin e tij në praktikë dhe rezultate konkrete për qytetarët.
“Sa më shumë i afrohemi përfundimit të negociatave, aq më shumë fokusi duhet të kalojë nga ligji i miratuar tek ligji i zbatuar, nga angazhimi i marrë te rezultati i pritshëm dhe nga standardi i shkruar tek standardi që qytetari ta ndjejë në jetën e përditshme”, u shpreh Balla.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi miratimin me konsensus të gjerë politik të rezolutës së Kuvendit për procesin e anëtarësimit në BE, si dhe mbështetjen e fortë të Parlamentit Europian, i cili më 17 qershor miratoi raportin për Shqipërinë me 483 vota pro.
Balla theksoi se Kuvendi i Shqipërisë duhet të luajë një rol më aktiv në monitorimin e reformave dhe kontrollin parlamentar të zbatimit të legjislacionit europian, duke përfshirë qytetarët, shoqërinë civile dhe grupet e interesit në proces.
Ai ndaloi gjithashtu te nisma “Pasqyra Albania”, e prezantuar nga qeveria si një platformë e re transparence, ku qytetarët do të kenë akses në informacion të plotë dhe të verifikueshëm mbi veprimtarinë e institucioneve dhe përdorimin e fondeve publike.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ekonominë, turizmin, zhvillimin e qëndrueshëm, të drejtat themelore, lirinë e medias, si dhe bashkëpunimin rajonal.
Në përfundim, Balla falënderoi bashkëkryetarin e KPSA-së, eurodeputetin Marko Tarquinio, si dhe institucionet e Bashkimit Europian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë, duke shprehur bindjen se diskutimet e zhvilluara në Tiranë do të kontribuojnë në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE.






