
Qindra shqiptarë janë mbledhur mbrëmjen e së martës në Hagë dhe në disa qytete të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Pak metra larg selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, qytetarët janë mbledhur me flamuj kombëtarë dhe pankarta në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Atje po zhvillohet edhe aktiviteti i quajtur “Ora e Pritjes”, nata e fundit para vendimit.
Në të njëjtën kohë, qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po qëndrojnë gjatë natës në pritje të verdiktit. Tubime të ngjashme po zhvillohen edhe në Skënderaj dhe në komuna të tjera të Kosovës.
Gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ka hyrë kështu në orët e tij vendimtare. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë është parashikuar të nisë të mërkurën, 16 shtator, në orën 10:00.






