Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën “arrest me burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në një postim në X, Rama thotë se kryeqyteti mbetet sërish “pa kokë”, ndërsa Veliaj, sipas tij, vazhdon të mbahet në qeli pa u gjykuar, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e la në detyrë.

“Edhe një herë Tirana është pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur, i sapokonfirmuar nga vetë Gjykata Kushtetuese si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga funksioni i tij, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se vendimet e gjykatave duhen respektuar dhe se ai i nënshtrohet këtij parimi, por e cilëson situatën e Veliajt një rast të paprecedentë.

Sipas Ramës, deri tani nuk është bërë publike ndonjë provë që të tregojë një rrezikshmëri ekstreme të Veliajt, e cila, sipas tij, do të justifikonte vazhdimin e qëndrimit në qeli të një kryebashkiaku të zgjedhur.

“Kalvari i Erion Veliajt është unik në historinë e Europës demokratike”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë e lidh çështjen edhe me funksionimin e Bashkisë së Tiranës, duke argumentuar se koston e situatës po e paguajnë qytetarët.

“Askush nuk shqetësohet për koston e përditshme në rritje të kryeqytetit, që prej afro dy vitesh jeton me kokën e prerë, dhe për haraçin që afro 1 milion banorë duhet të paguajnë çdo ditë për këtë eksperiment juridik, social dhe ekonomik të paprecedentë dhe të padëgjuar”, shprehet Rama.

Reagimi vjen pasi Gjykata e Lartë vendosi këtë të martë të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliajn.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu