Erion Veliaj mund të largohet nga qelia këtë 15 shtator, nëse Gjykata e Lartë hap rrugën për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Çështja u diskutua gjerësisht në emisionet politike mbrëmjen e së hënës, ndërsa analisti Flogert Muça tha në “Now” se Gjykata e Lartë mund të urdhërojë Gjykatën e Shkallës së Parë të caktojë një masë të re sigurie.

Sipas tij, nëse Gjykata e Lartë përjashton “arrestin me burg”, dy alternativat që mbeten janë arresti në shtëpi ose detyrimi për paraqitje.

“Erion Veliaj mund të dalë nga burgu”, deklaroi Muça, duke theksuar se vendimi mund të përcaktojë edhe standardet që duhet të ndjekë gjykata më e ulët.

Edhe mbrojtja e kryebashkiakut pret ndryshimin e masës. Avokati Plarent Ndreca deklaroi në “Top Story” se, sipas tij, pas përfundimit të hetimeve dhe vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese nuk ka më justifikim ligjor për mbajtjen e Veliajt në paraburgim.

“Nuk ka asnjë provë apo dyshim se Veliaj ka intimiduar dëshmitarë”, tha Ndreca, duke argumentuar se duhet të merret në konsideratë edhe fakti që Veliaj vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në të njëjtën linjë, analisti Lorenc Vangjeli tha se në një standard europian Veliaj duhet të lërë qelinë, ndërsa Filip Çakuli vuri në pikëpyetje provat mbi të cilat ishte vendosur masa ekstreme e arrestit.

Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon gjykatës dhe lirimi i Veliajt nuk është ende një fakt i kryer.

Nëse masa e sigurisë ndryshon, zhvillimi do të ketë jo vetëm pasoja juridike, por edhe politike, pasi kryebashkiaku i Tiranës mund të rikthehet fizikisht në drejtimin e institucionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu