
Tre qen të egër afrikanë kanë përshkuar rreth 4 mijë kilometra nëpër Zambi, në një udhëtim të jashtëzakonshëm për të gjetur partnere. Sipas shkencëtarëve, bëhet fjalë për distancën më të madhe të regjistruar ndonjëherë për një gjitar tokësor afrikan në kërkim të çiftëzimit.
Tre vëllezërit u ndoqën me pajisje GPS për tetë muaj. Në vijë të drejtë ata u zhvendosën vetëm rreth 420 kilometra, por duke lëvizur në zig-zag dhe duke kërkuar rrugë mes zonave të banuara, fermave dhe pengesave të tjera, përshkuan në total afro 4,000 kilometra.
Qentë e egër afrikanë jetojnë në tufa dhe individët nuk mund të riprodhohen brenda tufës ku kanë lindur. Për këtë arsye, zakonisht në moshën dy ose tre vjeç, disa prej tyre largohen për të kërkuar një tufë tjetër dhe partnerë për riprodhim.
Udhëtimi i tre meshkujve është veçanërisht i rëndësishëm për shkencëtarët, pasi ata arritën të kalonin mes zonave të ndryshme natyrore, duke shmangur edhe kryeqytetin Lusaka dhe rajone të zhvilluara industriale. Kjo tregon se popullatat e qenve të egër në Afrikën lindore dhe jugore mund të jenë ende të lidhura mes tyre.
Por historia ka edhe anën tragjike. Tre femra të monitoruara ndërmorën një udhëtim të ngjashëm, por njëra ra në një lak të paligjshëm gjuetarësh. Dy prej tre femrave të monitoruara përfundimisht ngordhën.
Qeni i egër afrikan është një nga grabitqarët më të rrallë të kontinentit. Në natyrë vlerësohet se kanë mbetur vetëm rreth 6 mijë individë.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Ecology, nënvizon rëndësinë e krijimit të korridoreve natyrore që lidhin zonat e mbrojtura dhe u mundësojnë kafshëve të lëvizin pa u izoluar nga qytetet, rrugët dhe fermat.






