Mijëra nxënës në të gjithë Shqipërinë janë rikthyer këtë të hënë në bankat e shkollës, duke shënuar nisjen e vitit të ri shkollor. Për mijëra fëmijë që hyjnë për herë të parë në klasën e parë, kjo është edhe dita e parë e një rrugëtimi të ri, ndërsa për familjet nis sërish edhe përballja me kostot e shkollimit.

Dita e parë rikthen vëmendjen pikërisht te fatura që arsimi zë në buxhetet familjare. Një analizë e “Scan Intel”, bazuar në të dhënat e INSTAT, përllogarit se familjet shqiptare shpenzojnë rreth 27.9 miliardë lekë, ose 277 milionë euro në vit, vetëm për shërbimet e arsimit.

Sipas të dhënave për vitin 2024, një familje shqiptare, e përbërë mesatarisht nga 3.1 persona, shpenzonte rreth 93 mijë lekë në muaj për konsum. Arsimi zinte 3.3% të këtyre shpenzimeve, ose rreth 3 mijë lekë në muaj dhe 36.8 mijë lekë në vit për familje.

Duke e përllogaritur këtë shumë për rreth 756 mijë familjet e regjistruara nga Censi 2023, fatura totale vjetore arrin në rreth 277 milionë euro.

Por pesha që arsimi zë në buxhetin e familjeve shqiptare është dukshëm më e lartë se mesatarja europiane. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, shërbimet e arsimit përfaqësonin vetëm 0.9% të shpenzimeve familjare në Bashkimin Europian, kundrejt 3.3% në Shqipëri. Pra, pesha në buxhet është rreth 3.7 herë më e lartë në vendin tonë.

Dhe kjo nuk është e gjithë fatura e shkollës. Në kategorinë “Arsim” përfshihen shërbimet nga arsimi parashkollor dhe fillor deri te arsimi i mesëm, universiteti dhe kurset. Veshjet, këpucët dhe produkte të tjera që familjet blejnë për nisjen e shkollës llogariten veçmas.

Kështu, ndërsa zilja e parë ka sjellë sot emocionet e rikthimit në klasa, për familjet shqiptare viti i ri shkollor shoqërohet edhe me një barrë të konsiderueshme financiare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu