Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure me një komunikim në Facebook, duke e cilësuar rezultatin e Shqipërisë në testin PISA 2025 si një nga arritjet më të rëndësishme për arsimin shqiptar.

Rama tha se Shqipëria ka marrë një “dëftesë të jashtëzakonshme”, pas një viti pune për përmirësimin e rezultateve në matematikë, shkencë dhe lexim.

“Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme, sepse është një dëftesë që i takon atyre që janë drita e syve të prindërve të këtij vendi, nxënësve tanë. Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, Shqipëria është tashmë e para në rajon, duke rikuperuar rënien e fortë të regjistruar pas periudhës së pandemisë së Covid-19.

“Sot jemi faktikisht të parët në rajon. Të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe në çdo sektor”, deklaroi ai.

Rama ia atribuoi rezultatin jo vetëm nxënësve, por edhe punës së mësuesve, drejtuesve të shkollave dhe Ministrisë së Arsimit. Ai veçoi edhe “Shkollën e Drejtorëve”, të cilën e cilësoi një histori suksesi.

“Është një rezultat fantastik dhe është një rezultat inkurajues, i jashtëzakonshëm. Është një rezultat që flet për punën shumë të mirë të bërë edhe nga Ministria e Arsimit, për punën e bërë nga ministrat e arsimit njëri pas tjetrit”, u shpreh kryeministri.

Një pjesë të komunikimit Rama ia kushtoi edhe komenteve kritike që po merrte gjatë transmetimit. Ai iu përgjigj drejtpërdrejt disa komentuesve që minimizonin rezultatin ose e akuzonin se po e përdorte atë për propagandë.

“Është shumë qesharake kjo që po them, që Shqipëria ka dalë e para në testin më të rëndësishëm për fëmijët tanë, për nxënësit tanë, testin PISA 2025. E para në rajon”, tha Rama me ironi.

Kryeministri pretendoi gjithashtu se Shqipëria jo vetëm ka shënuar një rritje të fortë të pikëve, por ka lënë pas edhe disa vende anëtare të Bashkimit Europian.

Rama e mbylli komunikimin duke iu drejtuar mësuesve, drejtuesve të shkollave dhe prindërve, ndërsa sulmoi ashpër atë që e quajti klimë negative në rrjetet sociale.

“Më vjen shumë mirë për të gjithë mësuesit, më vjen shumë mirë për të gjithë drejtuesit e shkollave, më vjen jashtëzakonisht mirë për prindërit”, tha Rama, përpara se të mbërrinte në punë dhe të mbyllte transmetimin me fjalët: “Tani mbërrita, vazhdojmë punën”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu