
Mbi 80% e qytetarëve shqiptarë jetojnë në banesa që janë në pronësinë e tyre, por vështirësia për të siguruar një shtëpi mbetet një nga problemet kryesore për të rinjtë dhe familjet e reja.
Kjo është një nga të dhënat kryesore të prezantuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit në kuadër të reformës së re kombëtare të strehimit.
Paketa e re nuk do të fokusohet më vetëm te shtresat në nevojë, por do të përfshijë edhe profesionistët, të rinjtë dhe familjet e reja.
Që prej vitit 2018, rreth 31 mijë familje janë mbështetur përmes programeve të strehimit. Nga këto, 14.512 kanë përfituar subvencion qiraje, 7.290 kanë marrë kredi të buta, ndërsa janë përmirësuar kushtet e 6.078 banesave dhe infrastruktura në 1.375 zona të banuara.
Vetëm këtë vit janë shpallur 300 kredi të buta për punonjësit e administratës publike, ndërsa 678 familje në 26 bashki do të përfitojnë nga programi për përmirësimin e kushteve të banesave.
Paketa e re parashikon kredi me interes zero për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, si dhe kredi me interes të subvencionuar për familjet e reja me një ose më shumë fëmijë.
Pjesë e skemës do të jetë edhe subvencionimi i qirasë për mijëra apartamente, jo vetëm për shtresat në nevojë, por edhe për profesionistët e rinj dhe çiftet e reja që sapo kanë nisur jetën e pavarur.
Një tjetër element i reformës është modeli 30-40-30 për blloqet e reja të banimit: 30% banesa sociale, 40% strehim i përballueshëm për shtresën e mesme dhe 30% banesa për shitje në tregun e lirë.
Qëllimi është që zonat e reja të banimit të mos ndahen sipas shtresave sociale, por të krijohen blloqe ku bashkëjetojnë kategori të ndryshme familjesh.






