Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, është pyetur pas mbledhjes së qeverisë për makinën e përdorur nga Kryeministri Edi Rama dhe pretendimet e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me kompaninë shtetërore të prodhimit të armëve, KAYO.

Duke iu përgjigjur interesimit për automjetin e Kryeministrit, Ismaili deklaroi se makina është marrë me qira dhe paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste, pasi përdoret edhe gjatë aktiviteteve politike dhe partiake të Ramës.

Sipas ministres, përzgjedhja dhe specifikimet e automjetit lidhen gjithashtu me masat e sigurisë të përcaktuara nga Garda e Republikës.

“Është bërë publike edhe më herët që makina që përdor Kryeministri është me qira. Paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste, për faktin se makina që përdor Kryeministri përdoret edhe për aktivitetin e tij politik ose partiak”, deklaroi Ismaili.

Ministrja u pyet gjithashtu për pretendimet e bëra publike nga Arben Ahmetaj lidhur me biznesmenin Ron Yeffet dhe kompaninë KAYO. Sipas pretendimeve të ngritura gjatë pyetjes, armët mund të prodhohen në vende afrikane ose në shtete që nuk janë anëtare të NATO-s dhe më pas të paketohen në Shqipëri.

Ismaili nuk dha një përgjigje konkrete për këto pretendime, por sulmoi Ahmetajn, duke e cilësuar si person të arratisur nga drejtësia.

“Më vjen sa keq, aq edhe ndot të diskutoj apo të jap përgjigje për deklaratat e të arratisurve nga drejtësia e Republikës së Shqipërisë. Ashtu sikurse e ka guximin që, nga pisllëku në të cilin është zhytur, të hedhë llum mbi projektet e qeverisë shqiptare, të gjejë guximin të vijë dhe të përballet me drejtësinë shqiptare”, tha ajo.

E pyetur nëse në Shqipëri prodhohen apo vetëm ripaketohen armë, Ismaili u kufizua të deklaronte se KAYO është një prej projekteve krenari të qeverisë.

“Ajo që mund të them sot është se KAYO është një nga krenaritë për sa u përket projekteve të implementuara nga kjo qeveri”, përfundoi ministrja.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu