
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar takime me dy prej drejtuesve më të lartë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, gjatë qëndrimit të tij në Dallas.
Berisha, i shoqëruar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, si dhe me Associate Attorney General Stanley Woodward Jr., zyrtari i tretë më i lartë në hierarkinë e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Një pasaktësi është shfaqur në postimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për takimet e zhvilluara gjatë Konventës Republikane në Dallas.
Duke njoftuar takimin me drejtues të lartë të Departamentit amerikan të Drejtësisë, Berisha shkruan se është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, dhe me “Zv.Prokurorin e Përgjithshëm, Stanley Woodward Jr.”
Por pikërisht këtu qëndron ngatërrimi. Stanley Woodward Jr. mban postin e Associate Attorney General, që është një funksion i ndryshëm nga Deputy Attorney General, posti që në shqip përkthehet si zëvendësprokuror i Përgjithshëm.
Berisha shkroi:
“Gjatë punimeve të Konventës Republikane, në Dallas, në një prej momenteve më të rëndësishme të jetës politike amerikane, ku Republikanët u mblodhën për të diskutuar të ardhmen e vendit dhe sfidat që përballon bota e lirë, bashkë me z. Fatmir Mediu, pata nderin dhe kënaqësinë të takoja krerët e Departamentit të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Todd Blanche, dhe Zv.Prokurorin e Përgjithshëm, Stanley Woodward Jr.”
Pra, takimi me Woodward nuk vihet në diskutim, por posti me të cilin Berisha e prezanton atë në njoftim është i pasaktë.






