
Biznesmeni Vasil Bedinaj ka denoncuar se është kërcënuar nga një grup prej më shumë se 10 personash, shumica prej tyre të armatosur.
Sipas informacioneve paraprake, grupi ka shkuar rreth orës 12:30 në një prej hoteleve të Bedinajt, ku fillimisht ka pasur kërcënime verbale dhe më pas konflikt fizik.
Biznesmeni ka deklaruar në polici se personat i kanë kërkuar 5 milionë euro, duke e kërcënuar që në të kundërt të largohej nga vendi.
“5 milionë euro gjobë, ndryshe zhduku nga Shqipëria”, është deklarata që Bedinaj raportohet se ka dhënë përpara uniformave blu.
Pas ngjarjes, personat e përfshirë janë larguar nga hoteli, ndërsa Policia ka nisur ndjekjen e tyre. Gjatë operacionit, dy prej personave që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Dy personat janë transportuar në spital për shkak të dëmtimeve të marra, ndërsa raportohet se janë vënë në pranga.
Forca të shumta policore janë shpërndarë në disa zona të Vlorës për kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë.
Rrethanat dhe pretendimi për kërkesën e 5 milionë eurove janë ende objekt hetimi dhe informacionet mbeten paraprake.






