Stresi dhe ankthi nuk prekin vetëm njerëzit. Edhe kafshët shtëpiake mund t’i përjetojnë fort situatat stresuese, veçanërisht ndarjen nga familjarët, ndryshimin e ambientit apo zhurmat e forta.

Mjekja veterinere Eni Zemani, nga Klinika “4 Zampe” në Tiranë, shpjegon se për të kuptuar mënyrën se si një qen apo mace përjeton situata të tilla, mund ta krahasojmë reagimin e tyre me atë të një fëmije të vogël.

“Kapaciteti i trurit të një kafshe, të qenushit dhe të maces suaj, është sa i një fëmije 3-vjeçar. Pra, imagjinoni që kafsha juaj është një fëmijë 3-vjeç”, shpjegon Zemani.

Sipas veterineres, ndarja nga njerëzit me të cilët kafsha është mësuar, ndryshimi i ambientit, zhurmat e forta apo fishekzjarrët, si ato gjatë natës së Vitit të Ri, mund të shkaktojnë stres të konsiderueshëm.

“Patjetër që kafsha juaj përjeton stres dhe e përjeton shumë madje. Ndryshimet e ambientit janë goxha stresuese”, thotë ajo.

Megjithatë, jo çdo episod stresi kërkon trajtim. Nëse kafsha stresohet përkohësisht, për shembull gjatë një vizite në klinikën veterinare, Zemani thekson se kjo gjendje është kalimtare dhe nuk duhet domosdoshmërisht të trajtohet me preparate kundër stresit.

Për rastet kur nevojitet ndihmë për qetësimin e kafshës, veterinerja rekomandon që përparësi t’u jepet alternativave me bazë bimore.

“Gjithmonë jemi pro linjës bimore. Gjithmonë jemi pro kamomilit dhe valerianës. Këto preparate nuk janë aspak të dëmshme për kafshën tuaj dhe, sigurisht, nuk krijojnë varësi”, shpjegon Eni Zemani.

Vlerësimi i shkakut dhe kohëzgjatjes së stresit mbetet i rëndësishëm për të përcaktuar nëse kafsha ka vërtet nevojë për trajtim apo po kalon thjesht një reagim të përkohshëm ndaj një situate të pazakontë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu