
Dy fëmijë dhe katër të rritur janë plagosur pas shpërthimit të dyshuar të një bombole gazi në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, në banesën në pronësi të S. K., 40 vjeç.
Si pasojë e shpërthimit, u lënduan dy fëmijë të moshave 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, si dhe tri gra: L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe ndihmuan në transportimin e të plagosurve drejt Spitalit Rajonal të Lezhës.
Për shkak të dëmtimeve të marra, 40-vjeçari u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Pesë të plagosurit e tjerë po marrin mjekim në Spitalin e Lezhës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave të shpërthimit.






