
Një zbulim arkeologjik nën Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem ka rikthyer debatin mbi vendin ku besohet se u varros Jezu Krishti pas kryqëzimit.
Ekipi i Universitetit “La Sapienza” të Romës, i drejtuar nga arkeologia Francesca Romana Stasolla, ka zbuluar gjurmë të një zone të lashtë varrimi, varre të gdhendura në shkëmb dhe parcela që dikur ishin kultivuar me ullinj e hardhi.
Gjetjet përputhen me përshkrimin e Ungjillit sipas Gjonit, ku thuhet se pranë vendit të kryqëzimit ndodhej një kopsht dhe brenda tij një varr i ri, ku u vendos trupi i Jezusit.
Gërmimet kanë treguar se zona ku sot ndodhet kisha kishte shërbyer fillimisht si gurore. Pas braktisjes së saj, disa pjesë u shndërruan në tokë bujqësore, ndërsa në shkëmb u hapën varre të shumta.
Sipas arkeologëve, kjo pamje përputhet me mënyrën se si përshkruhet vendi në tekstet biblike. Në shekullin IV, perandori Kostandin urdhëroi ndërtimin e kishës mbi varrin që të krishterët e hershëm nderonin si vendin e varrimit të Krishtit.
Megjithatë, studiuesit sqarojnë se nuk është zbuluar një varr i ri dhe nuk ekziston ende ndonjë mbishkrim apo provë shkencore që të vërtetojë se njëri prej varreve i përkiste Jezusit.
Zbulimi forcon përputhjen historike dhe topografike të Kishës së Varrit të Shenjtë me rrëfimin biblik, por nuk përbën konfirmim përfundimtar të vendit ku u varros Krishti.
Gërmimet nën kishë kanë nisur në vitin 2022, gjatë punimeve për restaurimin e dyshemesë, ndërsa rezultatet po analizohen përmes studimeve arkeobotanike, gjeologjike dhe rindërtimit tredimensional.






