
Pamjet e avionëve që kryejnë fluturime të përsëritura dhe në formë rrjete mbi Shqipëri kanë nxitur teori konspirative në mediat sociale. Disa përdorues, duke publikuar gjurmët e tyre në “FlightRadar”, pretenduan se avionët po hidhnin lëndë helmuese.
Njoftimi zyrtar i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor sqaron arsyen e vërtetë të këtyre fluturimeve: ka nisur fotografimi i ri ajror i territorit shqiptar.
Faza e parë përfshin 680 kilometra katrorë zona urbane. Avionët ndjekin korridore të përcaktuara dhe fluturojnë disa herë mbi të njëjtën hapësirë për të realizuar fotografi të sakta dhe skanime të detajuara.
Projekti përdor rezolucion prej pesë centimetrash dhe teknologjinë LiDAR, e cila mat terrenin, lartësitë dhe objektet përmes impulseve lazer. Për herë të parë do të realizohet edhe fotografimi oblik, për krijimin e modeleve tredimensionale të qyteteve.
Pra, vijat e pazakonta të shfaqura në “FlightRadar” lidhen me punën teknike për hartëzimin e Shqipërisë dhe jo me operacione të fshehta për “helmimin” e popullsisë.



